Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
CLICHE
CLICHE
Anëtar i rregullt
Anëtar i rregullt
Regjistruar : 31/12/2007
Postime : 433
Points : 40
Reputacioni : 29
Medalje Medalje2 Medalje3

Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha. Empty Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha.

24th May 2008, 20:52
Dritan Hoxha, presidenti i Top Media humbi jeten ne nje aksident tragjik automobilistik sot ne oret e para te mengjesit. Ngjarja ka ndodhur rreth ores 01:50 minuta ne bulevardin Bajram Curri ne Tirane. Sipas njoftimit te policise makina Tip Ferrari ngjyre e kuqe me targa DK 3892 H, ne pronesi te 37 vjecarit nga Tirana ka dale nga rruga dhe pasi ka pershkruar ne nje hapesire te plote 82 metra eshte perplasur me pemen 3.1 metra, ne lulishten e lumit te Lanes. Per shkak te perplasjes se forte makina eshte ndare ne dy pjese dhe eshte shkaterruar teresisht. Ne vendin e ngjarjes mberriten forca te shumta policie, duke nderhyre menjehere, per te dhene ndihmen e pare 37 vjecarit. Dritan hoxha vdiq gjate rruges teksa dergohen ne Spitalin Ushtarak.

Humbja eshte e pazevendesueshme per gruan e tij Vjolcen. Dritan Hoxha do ti mungoje tre vajzave, Lorit, Sares dhe Redias si dhe djalit te tij te vogel Itan, i cili lindi vetem nje vit me pare.

Top channel dhe Top albania Radio nderpreu transmetimet e saj qe ishin parashikuar ne program pas konfirmimit te lajmit tragjik. Ne oren 9:00 nme Top Channel dhe Top Albania Radio u lexua nje komunikate ne te cilen nder te tjera thuhet: PAdyshim humbja me e madhe njerezore eshte per familjen e tij, per nenen Zyrane, e cila e rriti Dritanin ne mungese te babait te tij, qe per rastesi tragjike, ishte shuar dhe ai ne nje moshe te re. Dritan Hoxha u rrit mes halleve te shumta si te gjithe shqiptaret, ne shtepine e tij te pare ne Laprake.
Ne Lapraken qe e rriti si djalin e saj, Tanin, nje i ri i jashtezakonshem, icili merrej me shpikje teknologjike per te care terrin informativ qe kishte vendosur regjimi komunist. "Zemra e Dritan Hoxhes ndaloi ne mengjes, pikerisht pak metra larg vendit per te cilin ajo rrihte me fort, prane studiove te Top Channel.


Per me shume historik rreth te ndjerit Dritan Hoxha mund te vizitoni sitin e Top Channel
CLICHE
CLICHE
Anëtar i rregullt
Anëtar i rregullt
Regjistruar : 31/12/2007
Postime : 433
Points : 40
Reputacioni : 29
Medalje Medalje2 Medalje3

Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha. Empty Re: Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha.

24th May 2008, 20:53
Shuhet në aksident Dritan Hoxha, themeluesi i "Top Media"-s. Vdekja e papritur shokon qindra punonjës
"Fluturimi" i vdekjes së Tanit të Topit
Përplasja fatale në 97.5 metra shkaktoi vdekjen. Babai i 4 fëmijëve humbi jetën drejt spitalit
TIRANË- Presidenti i "Top Media"-s, Dritan Hoxha, humbi jetën në një aksident fatal automobilistik. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, në bulevardin "Bajram Curri" në Tiranë, kur automjeti "Ferrari" me të cilin po udhëtonte 40-vjeçari Hoxha doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe të një vajze 27-vjeçare. Forca të shumta policie mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur dhe transportimin e Dritan Hoxhës në spital, por mësohet se presidenti i Top-Medias ndërroi jetë gjatë rrugës. Ndërkohë, ekspertë të policisë rrugore si dhe forca të shumta policie rrethuan vendin e ngjarjes, ku për më shumë se shtatë orë kryen këqyrjen për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Nga hetimet e para, policia deklaroi se dyshohet që shpejtësia e madhe dhe rruga e lagësht kanë çuar drejtuesin e makinës drejt humbjes së kontrollit të makinës. Ndërkohë, "Ferrari" i ndarë më dysh, në pronësi të Dritan Hoxhës i është nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme auto-teknike.
***
Pak pas mesnatës së enjte, në orën 01:50 minuta, presidenti i "Top-Medias" ka qenë duke udhëtuar me 27-vjeçaren Entela Hysko, me automjetin e tij "Ferrari" me targa DK 3892 H në bulevardin "Bajram Curri" në Tiranë. Në rrethana ende të paqarta, ai ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga. Sipas policisë së Tiranës, e cila ka rindërtuar aksidentin, mjeti që drejtohej nga Hoxha fillimisht është përplasur me trotuarin e krahut të majtë të bulevardit si dhe me dy shtylla dekorative ndriçuese. Pas këtyre përplasjeve, 40-vjeçari nuk ka mundur të kontrollojë më automjetin, i cili është përplasur me një pemë, me perimetrin e trungut 3.1 metër. Kjo ka qenë dhe goditja fatale për jetën e babait të katër fëmijëve të mitur dhe 27-vjeçares Hysko. "Automjeti është shkatërruar plotësisht, duke u ndarë në dy pjesë, ndërsa 27-vjeçarja ka humbur menjëherë jetën",-thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Dritan Hoxha ka marrë dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, që i shkaktuan atij vdekjen vetëm pak minuta pas ngjarjes. Mësohet se zemra e tij rrihte në momentin që mbërriti policia, ndaj dhe ai u transportua me autoambulancë drejt spitalit, por nuk mundi të arrinte i gjallë në duart e mjekëve.
***
Në vendin e aksidentit mbërritën menjëherë zyrtarë të lartë të policisë së Tiranës si dhe ekspertë të policisë rrugore. U formua grupi hetimor nën drejtimin e zv.Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, Genci Qano, drejtues të Policisë së Tiranës, tre ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, Ekspertë të Mjekësisë Ligjore, dhe Ekspertë të Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti. Grupi hetimor punoi rreth shtatë orë në vendin e ngjarjes, ndërsa në orët e pasdites policia e Tiranës deklaroi dhe shkaqet e aksidentit. "Paraprakisht, nga konkluzionet e nxjerra nga ekspertë të grupit hetimor theksohet se shkaktar i ndodhjes së kësaj fatkeqësie është hapësira e madhe e zhvillimit të aksidentit, e cila kap distancën 97.5 metra, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dëmtimeve të tij si dhe treguesi i kilometrazhit të automjetit, në manometrin e shpejtësisë është fiksuar shpejtësia prej 170 km/në orë. Nga ekspertët në vendngjarje, sqarohet se drejtuesi i automjetit tip-Ferrari, duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara, në kushtet atmosferike me lagështirë, ka humbur menjëherë kontrollin e drejtimit të mjetit, duke dalë nga karaxhata e bulevardit "Bajram Curri" në Tiranë", -thuhej më tej në deklaratën e lëshuar pasditen e djeshme nga Policia e Tiranës.


HETIMI
Aksidenti, merren në pyetje dëshmitarët
TIRANË- Policia e Tiranës bëri të ditur dje se nën drejtimin e prokurorit të çështjes, nga grupi hetimor janë pyetur disa dëshmitarë okularë në vendngjarje, të cilët do të sqarojnë më tej rrethanat e kësaj ngjarjeje aksidentale automobilistike. Ekspertët auto-teknikë në vendngjarje, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, kanë realizuar me përpikmëri, hartimin grafike- skicor të ngjarjes dhe fotografik, duke i shoqëruar të gjitha veprimet procedurale me filmimet përkatëse. Ndërkohë, makina "Ferrari" është dërguar në mjediset e Policisë Rrugore, ku do t'i nënshtrohet ekspertizave të tjera.


"Ai jetoi me 300 km në orë dhe fluturoi larg, duke ndezur ekranin e shekullit të ri"
Edi Rama: Humbëm një nga njerëzit që bëjnë histori
Sot vdiq një njeri nga ata që bëjnë histori. Tani i Topit arriti i vetëm për 7 vjet atë që vendeve si Shqipëria u duhen 70 vjet për të arritur. Ai jetoi me 300 km në orë dhe fluturoi larg, duke kapur ëndrrën e tij dhe duke ndezur ekranin e shekullit të ri në një Shqipëri që ende jeton pas perdes së shekullit të vjetër. Vepra madhështore që Tani i Topit ndërtoi me intuitën e një gjeniu dhe pasionin e një fëmije, është modeli i një suksesi të barabartë me një jetë frenetike të jetuar në timon. Pa e ulur shpejtësinë për asnjë dekikë. Pa pyetur për orën dhe as për rreziqet e rrugës. Pa fjetur, përveçse duke mbyllur sytë, për të ecur më shpejt.
Pas profesionistëve e talenteve që në mikrofonin e "Top Albanias" dhe ekranin e "Top Channel" gjetën oazin e zhvillimit të tyre në kushte optimale, ishte jeta e një njeriu në kërkim të pareshtur të cilësisë më të mirë. Pas prurjes së pandalshme të risive të komunikimit, formateve moderne të pasqyrimit të aktualitetit, të qeshurave therëse të "Fiksit" e atyre me lot të "Portokallisë", tingujve të "Top Festit" dhe jehonës së stadiumeve të botës së Super Sportit në kohë reale, ishte jeta e një njeriu në garë me kohën. Pas tasteve të telekomandës që çelte çdo vit dritare të reja në shtëpitë tona, ishte jeta e një njeriu që s'mund të plakej.
Ikja e tij, përgjithnjë nga kjo botë që nuk i mjaftoi asnjëherë, le pas kudo trishtimin e thellë për ç'ka humbi sot Shqipëria. Së bashku me dhimbjen e madhe tek unë, për humbjen e një njeriu të jashtëzakonshëm, që pata fatin ta njoh nga afër qyshse nisi t'i japë jetë ëndrrës, për të cilën qe lindur dhe të cilës i kushtoi jetën.


Ngushëllimi i Presidentit
"Të dashur familjarë të Dritan Hoxhës
e keqardhje të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të të dashurit tuaj Dritan Hoxha, njeriut që me punën e tij ambicioze i dha një dimension të ri bashkëkohor teknologjisë së medias vizive në Shqipëri.Me humbjen e Dritanit, Top Media humbi themeluesin dhe promotorin energjik e vizionar të saj ndërsa nëna, bashkëshortja e fëmijët, njeriun e tyre më të shtrenjtë. Ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe në këto momente të vështira ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta!", – thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.


THEMELUESI
Vdekja e Dritan Hoxhës, "Top Media" në shok
TIRANË- Muzikë funebër në "Top Albania Radio". Dokumentarë rastësorë në ekranin e "Top Chanel". Vdekja e papritur Dritan Hoxhës ka shokuar qindra punonjës të "Top Media"-s, të cilët mbyllën dje "dritaret" e informacionit dhe hapën dyert për të pritur ngushëllime. Arkëmorti me trupin e themeluesit të grupit mediatik u vendos dje në mjediset e Piramidës, ku zhvilluan homazhe autoritetet më të larta të vendit, shtetërore dhe politike si dhe mjaft gazetarë. 40-vjeçari Dritan Hoxha themeloi grupin e fuqishëm mediatik në vitin 2001, i cili u imponua me shpejtësi në tregun shqiptar, duke u bërë ndër zërat më të rëndësishëm. Fillimisht ai ngriti radion "Top Albania", e më pas televizionin "Top Chanel". Hoxha u bë promotor edhe i projektit të guximshëm të futjes në Shqipëri të platformës dixhitale tokësore dhe më pas asaj dixhitale satelitore, platformë jo mjaft e përhapur në Evropë si dhe programet televizive në celular. Babai i katër fëmijëve të mitur, tre vajzave dhe një djali humbi jetën gjatë një aksidenti automobilistik, në afërsi të ekspozitës "Shqipëria Sot", shumë pranë studiove të kompanisë së tij, teksa po udhëtonte me makinën e tij.




LAMTUMIRË TANI I TOP-IT

Nga Koço Kokëdhima
Nuk kam komunikuar me Dritanin qysh kur më ftoi në një tryezë me mediabërësit e tjerë shqiptarë kur qeveria i kish dërguar një gjobë 15 milionë dollarëshe. E refuzova atë tryezë pa u
shpjeguar. Të gjithë tani mund të flasim mirë për të. Ai nuk jeton më, konkurentët dhe qeveritarët nuk kanë arsye ta shajnë. Ai bëri një sukses që nuk do ta arrijnë kurrë të tjerët. Aventura e tij nuk përsëritet. Në historinë e televizionit shqiptar, ky lloj suksesi ka ndodhur vetëm një herë, vetëm atëherë kur qe gjalle Tani i TOP-it. Fama e këtij suksesi ishte shumë më e madhe nga sa mund ta mbanin supet e tij. Vetëm një paranojak si ai mund të bënte një histori të tillë. Vetëm ai mundi të zbulonte dhe të kthente në ide biznesi nevojat e papërmbushura të shqiptarëve për spektakël, kinema, muzikë, promovim, komunikim e informim. Vetëm ai mundi t'i jepte një populli të tërë një jetë që s'e kishte, një jetë që s'mund ta jetonte dot jashtë ekranit të Tanit. Ky gjeni në sukses, mbeti aq i marrë, naiv e adoleshent në dëshira. Ai bashkonte gjëra të pabashkueshme, ai ishte një devijim nga normalja jo vetëm në racën e në kohën tonë. Këtë dëshmoi edhe në vdekjen e tij. Gjeniu i Piramidës sot do të shkojë në Sharrë dhe nuk do të kthehet më. Ai është nga ata lloj rebelësh që e lënë famën tek suksesi sepse vlejnë më shumë në harresë. Ne do bëjmë kujdesin e normalëve për ta "qëruar" biografinë e tij nga devijimet. Askush tjetër në të ardhmen nuk do ndërtojë dot një vepër aq vezulluese në bodrumet e piramidës. Për pak kohë edhe TOP-i do të ikë nga Piramida. Atje do të mbetet vetëm historia e tij, historia më e madhe e piramidës dhe e medias televizive shqiptare në të gjitha kohët.
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha. Empty Re: Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha.

25th May 2008, 20:48
E gjithë Shqipëria i jep lamtumirën e fundit Presidentit të "Top Media"-s

Duartrokitje pa pushim dhe mijëra karafila, kortezhi i përmotshëm parakalim në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"


Familjarë, të afërm, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të kryeqytetit i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Karafila të bardhë kanë mbuluar arkivolin dhe zërin e dhimbjes e kanë mbuluar duartrokitjet e pashkëputura në shenjë mirënjohjeje, teksa trupi i pajetë përshkroi rrugën nga shtëpia e tij, pranë selisë së "Top Channel" dhe një homazh i fundit iu bë gjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Dritan Hoxha do të mbetet jo vetëm në kujtesën e njerëzve më të cilët jetoi dhe punoi, por edhe të gjithë shqiptarëve, pasi ishte njeriu i shpejtësive të mëdha, që realizoi ëndrra të mëdha, për të gjithë. Kjo ditë, ishte një falënderim i madh për Tanin e "Top"-it.

Presidenti i "Top Media"-s, përcillet për herë të fundit nga banesa e tij, në orën 11:00 në Tiranë, ku në rrugën përpara godinës së "Top Channel" ishin mbledhur me mijëra qytetarë, punonjës të kompanisë së "Top Media"-s dhe kolegë të mediave të tjera, politikanë, biznesmenë e artistë. Rreth orës 11:05, me një hap të ngadaltë nga pesha e dhimbjes, trupi i pajetë i Presidentit ka filluar të lërë pas banesën e tij pranë ish-Piramidës. Në supet e shokëve dhe bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë, nën duartrokitjet dhe lulet e njerëzve që do të donin të mos kishin qenë kurrë këtu dhe e gjithë kjo të kishte qenë veç një ëndërr...

Vetëm pak metra e ndanin banesën e Dritan Hoxhës nga zyra e tij në "Top Channel", ku gjithçka nisi dhe mori hov. Diçka që qiellit gri të Shqipërisë do t‘i jepte ngjyrë. Ndaj Dritan Hoxha nuk mund të ndahej pa një vështrim të fundit nga selia e perandorisë së tij mediatike, mishërimi i ëndrrave të veta që ai bëri realitet për t‘u bërë të mundur edhe dhjetëra gazetarëve, artistëve, regjisorëve, kameramanëve dhe operatorëve që të realizonin dhe ata ëndrrat e tyre, ose siç tha një politikan për të krijuar diçka ku ata do të gjenin oazin e zhvillimit të tyre në kushte optimale. Pas kthesës te selia e "Radio Tiranës", kortezhi ka marrë rrugën përkrah selisë së Kryeministrisë për të dalë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Një bulevard, ku trafiku ndaloi për t‘i lënë udhë hidhërimit dhe njëkohësisht përkrah tij respektit të qindra qytetarëve të thjeshtë. Njerëzit hipën në makina përpara ish-hotel "Dajtit" dhe kortezhi u nis drejt Laprakës, lagjes në periferi të Tiranës ku Dritan Hoxha u rrit. Kortezhit të makinave iu shtuan rrugës në shenjë respekti edhe makinat e televizioneve të tjera nën duartrokitjet e pandërprera të qytetarëve buzë trotuareve. Sepse siç tha një tjetër pronar mediash, Dritan Hoxha ishte adrenalina e medias shqiptare, ishte ai që përcaktonte shumë standarde të medias, ishte ai që e futi Shqipërinë në erën e transmetimeve dixhitale, në transmetimet tokësore dhe satelitore dhe të telefonit celular dhe së fundi në HD. Por siç tha një miku i tij, sot do të jepnin të gjitha krijimet e tij teknologjike në shkëmbim të një novacioni të fundit që ta kthente atë mes nesh. Kjo ishte e vetmja gjë që Tani nuk e bëri dot. Ndaj nuk na mbetet veç t‘i themi atij "LAMTUMIRË!" dhe për herë të fundit "FALEMINDERIT!".
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha. Empty Re: Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha.

25th May 2008, 20:49
"Lamtumirë Tani dhe Faleminderit!"

Mijëra qytetarë marrin pjesë në varrimin e Presidentit të "Top Media"-s


Në varrin e Dritan Hoxhës, dje ka pasur shumë lule dhe kurora të vendosura nga familja, miqtë, bashkëpunëtorët dhe politikanët. Fjalën e fundit para trupit të tij të pajetë e ka mbajtur Drejtori i Përgjithshëm i "Top Media"-s, Enkelejd Joti, i cili tha:

"Dritan Hoxha ishte shoku, vëllai, babai dhe prindi i dashur, tashmë i munguar për të gjithë ne. Që nga hiçi krijoi mrekullinë që quhet ‘Top Channel‘. Që nga ai moment u njoh nga e gjithë Shqipëria si Tani i Top-it, një njeri energjik dhe shpërthyes, gjeni unik, që më pas krijoi mrekullira të tjera: ‘DigitAlb‘, ‘Top Gold‘, gazetën ‘Shqip‘.

Në sfidë me realitetin e këtushëm, por në radhë të parë dhe gjithmonë në sfidë me veten. Por, Dritan Hoxha sot nuk është më. Nuk është në radhë të parë, për nënë Zyranë, që e rriti me aq halle, nuk është për gruan, shoqen, partneren e tij të shkëlqyer, Vjollcën, nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm. Dritan Hoxha, që sot e tutje do të jetë babai i munguar i Lorit, Sarës, Redias dhe Itanit. Itani i vogël nuk e ka më babain që i dha jetën dhe emrin. Dritani do të na mungojë të gjithëve, mijëra bashkëpunëtorëve dhe kolegëve, me të cilët nuk krijoi asnjëherë dot marrëdhënie zyrtare, por i konsideroi të gjithë si familjen e tij. Dritani kishte zemrën e madhe dhe aty kishte vend për të gjithë. Dritan Hoxha ishte gjeniu, por si të gjithë gjenitë edhe ai e pati jetën të shkurtër. Sot ne do të jepnim të gjithë krijimet e tij, në krijim të një shpikjeje të fundit, që atë ta kthente në mes tonë, qoftë edhe për një minutë të vetëm. Por kjo është e vetmja shpikje që Tani nuk e bëri dot. Ajo që mund të bëjmë ne tani për Tanin është e thjeshtë, por dhe shumë e vështirë, tani na del detyra të mbajmë dhe të zhvillojmë ato që ai la pas dhe Dritan Hoxha nuk ka lënë pak. Mirënjohja dhe respekti i pakufi për vëllain, shokun, drejtuesin dhe bashkëpunëtorin shprehet pikërisht kështu, duke vazhduar suksesin e tij. Natyrisht siç na mungoi Tani fizikisht, do të na mungojë edhe këshilla e tij dhe kjo nuk është pak, është pjesë e asaj që ka ndodhur, se Dritan Hoxha nuk jeton më. Ndaj na mbetet vetëm t‘i themi Tanit tonë Lamtumirë dhe Faleminderit"!
albx
albx
Anëtar aktiv
Anëtar aktiv
Regjistruar : 25/12/2007
Postime : 104
Points : 1
Reputacioni : 1
Medalje2 Medalje3

Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha. Empty Re: Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha.

7th June 2008, 21:55
Aksidenti i Dritan Hoxhes

Sponsored content

Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha. Empty Re: Humb jeten ne aksident automobilistik presidenti i Top Media, Dritan Hoxha.

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi