Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Amelia
Amelia

Regjistruar : 02/01/2008
Postime : 909
Points : 1463
Reputacioni : 59
Medalje Medalje2 Medalje Green

Fotografia, në kufi të dy epokave Arti i Fotografisë Empty Fotografia, në kufi të dy epokave Arti i Fotografisë

22nd January 2016, 08:49
Fotografia, në kufi të dy epokave Arti i Fotografisë 25p1fgw



Fotografia, në kufi të dy epokave 

Nga O. Velaj 


Dikur për të dalë në fotografi duhej një ritual i tërë, ndërsa sot nuk ka nevojë as për fotograf. Një histori e shkurtër e tranzicionit të fotografisë shqiptare, nga fotoja bardhezi të fotoja me ngjyra, nga statizmi në studio te jeta dhe portreti në lëvizje. Profesionistët tregojnë këtë epokë ndryshimi 

Studiot e dikurshme të shërbimit fotografik, tani kanë mbetur vetëm nëpër kujtimet e njerëzve. “Qesh pak, shiko këtu...” dhe shkrap, blici bombardonte me dritë fytyrat, ndërsa një mori llampash të forta ndriçonin një faqe muri me një beze të vizatuar. Ishin skena të stisura, sfonde që shumëkush i ka ende bardhezi në albumet familjare. Breza të tërë shqiptarësh, që pozuan përpara atyre peisazheve të bëra nga ndonjë qejfli vizatimi, me bojëra vaji, me nxitim dhe pa shije, tani buzëqeshin dhe risjellin në mend atë kohë. Ishte një kohë që mbeti në fotografi.
Njerëz statikë, me buzëqeshje të mbërthyera, me sy që rrudheshin zorshëm në cepa, pa asnjë lloj grimi në fytyrë, kanë mbetur përgjithmonë aty. Ndërsa fotografia ka filluar të bëhet ndryshe, ashtu si jeta. Dikur me mik mund të gjeje nëj fotograf për ditën e dasmës. Ndërsa sot, rrallë gjen familje që të mos ketë një aparat fotografik për të regjistruar çastet e kujtimeve më të paharruara. Fotot me ngjyra tani janë një gjë e zakonshme për këdo. Por dikur, në vitet '60, ‘70, vetëm udhëheqësit dhe familjet e tyre fotografoheshin me filma me ngjyra. Ishin shumë të kushtueshëm dhe nuk lejohej që të përdoreshin, as në shtyp. Një laborator i veçantë i fakultetit të inxhinierisë shërbente edhe si vendi ku laheshin fotot e udhëheqjes. Njerëz të talentuar, që zgjidheshin nga fotografët e shtypit, ishin shpesh ata që realizonin foto familjare të ish njerëzve të diktaturës. Se ç'lidhje patën këta të fundit me ish udhëheqësit, kjo mbetet ende e çuditshme. Disa ruajnë ende nosltalgji për ato shërbime, disa të tjerë nuk duan ta kujtojnë atë kohë. Edhe pse në çdo rast secili përpiqej të bënte më të mirën e mundshme, në një vështrim të shpejtë, fotografia ishte një zanat dhe rrallëherë u këqyr si art. 


Ndërsa fotografia artistike qëndronte akoma më larg, nuk mund të arrihej. Në koleksionet e revistave të kohës së monizmit, gjithkush mund të shohë njerëzit e punës duke pozuar pranë tornove, pranë stallave, në galeri minierash, në hekurudha. Gjithmonë ka diçka të panatyrshme në ato portrete që duhet të tregonin modelet e njerëzve të rinj, të përmbytur nga ideologjia. Dhe pikërisht kjo përpjekje pët të paraqitur heronjtë e rinj, ngecte përpara filmit. Foto statike, pa lëvizje, pa komunikim, që të bëjnë të mendosh edhe tani për atë kohë frustruese. Disa nga autorët e atyre fotove pohojnë se ishte epokë e artë për profesionin. Kishin mjaft kohë për të realizuar fotot dhe nuk ekzistonte ngutja që është sot. Ndërsa disa të tjerë pohojnë se fotografia ekzistonte si një punë shërbimesh të komunales së dikurshme. Askush nuk kujtohej për të si për një art dhe askush nuk i kushtoi vëmendjen që meritonte. 

Amatorët dhe profesionistët 

Çfarë e bën artistike një fotografi? Nëse një fotograf profesionist fotografon të njëjtin objekt që fotografon edhe një person i zakonshëm, ku qëndron ndryshimi? 

Kjo është pyetja që i mundon gjatë kureshtarët e fotografisë. Para pak kohësh fotografia ka reshtur së këqyruri si një formë midis teknikës dhe artit. Ajo është pranuar si lloj arti, ndërsa teknika ka përparuar në mënyrë marramendëse. Sot në Shqipëri mbi 80% e popullsisë ka një aparat fotografik që e përdor për dokumentimin e ngjarjeve familjare. Ndërsa në morinë e gazetave dhe revistave që dalin çdo ditë në treg, mund të shohësh fare mirë ndryshimin e cilësisë së fotografisë, edhe jo më larg se me 5 vjet më parë. Duket sikur fotografia po nxiton të bëhet shprehëse. Përditë e më shumë ajo po konkurron shkrimet dhe është duke folur drejtpërdrejt me publikun, pa nevojën e fjalëve. Megjithatë, në morinë e shfaqjeve të saj, cila është fotografia artistike? 

Ata që janë marrë me fotografinë mendojnë se vërtet nuk ka një përcaktim të ngurtë se çfarë është kjo foto. Por Albes Fusha, pedagog fotografie në Akademinë e Arteve thotë: Foton artistike e dallon forma ose koncepti. Kjo e dallon një foto për nevoja dokumentimi të një gëzimi ose ngjarje familjare dhe kërkesave të një artisti. Artisti ka ose ngacmim estetik, ose ngacmim konceptual. Fotoja artistike është foto me kërkim më shumë se sa dokumentimi, për shembull “Unë dhe ti pëprara bustit të Skënderbeut”. Fotografia duhet të reflektojë një kulturë, korrente me fotografinë botërore. Në fund të fundit, fotoja artistike karakterizohet nga po të njëjtat kërkesa si artet e tjera. 

Nëse do të bënim një klasifikim për ta kuptuar më mirë fotografinë, profesionistët janë të vetmit që na orientojnë. Albes Fusha pohon se dy janë shtyllat e fotografisë. Fotoja dokument dhe fotoja artistike. Në foton dokument përfshihen fotoja e gazetave, fotoja familjare, foto e kohës, foto e zbulimeve shkencore, e evenimenteve. Ndërsa po kështu mund të bëjmë edhe dallimin mes fotografëve reporterë dhe fotografëve artistë. Deri nga vitet '70 fotoja në Shqipëri notonte në ujërat e të fiksuarit të objektit. Por më pas gjithçka ndryshoi. Rruga që kishte bërë fotografia në vend që nga viti 1858 deri afër fundit të shekullit të njëzetë, numëronte mjaft mjeshtër dhe prurje. Mikel Kodheli, Marubi; Kolë Idromeno, Ymer Bali, Mandi Koci, Jani Ristani, Mihal Popi, Ali Bakiu, Niko Stefani, Misto Cici, Petro Dhimitri e mjaft të tjerë po pasoheshin. Disa nga familjet e njohura të fotografisë ishin aktive për dekada me radhë në pasurimin e fototekës shqiptare. Familje në kryeqytet si Kallfat, Veselët, Kumët po e transmetonin zanatin te brezat e rinj. Por gjithmonë ka një dallim midis zanatit dhe artit, thotë Albes Fusha, i biri i mjeshtrit te fotografise Shqiptare Besim Fushes. Shumë abuzohet me cilësorin artistik. Të zotërosh shumë mirë një mjeshtëri dhe të jesh artist, këto janë dy gjëra të ndryshme, thotë ai, duke theksuar që artizanti s'është pjesë e artit. 

Fotoja me ngjyra 

Petrit Kumi, mjeshtër i fotografisë, Artist i Merituar, tregon se si u aplikua për herë të parë fotoja me ngjyra. Ai tregon se gjatë kohës kur punonte ne revistën “Ylli”, në vitet e miqësisë shqiptaro- kineze, u krijua mundësia e një specializimi të tij dhe të një fotoreporteri nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, Niko Stefani. Deri atëherë Pertef Sinani ishte mjeshtri i vetëm që ngjyroste foto bardhezi. Fotot e kopertinave të revistave dhe të gjitha fotot e tjera të rëndësishme kalonin nga dora e tij. Bënte çudira. Asokohe eksperimentuaesi më i madh në këtë fushe ishte Jani Ristani. Megjithatë, kinezët ishin të avancuar. Unë ndenja 6 muaj në Kinë për të mësuar foton me ngjyra. Kishte probleme me mënyrën se si të mësoinin, sepse ata e fillonin gjithçka nga e para, nuk merrnin parasyh që ti ishe fotograf, që e njihje teknikën. Të trajnonin për shembull për probleme të realizmit socialist në fotografi. Kjo ishte pjesa e mërzitshme, “kineze” e çështjes. Por gjithsesi ishte një eksperiencë pozitive. Pas kthimit tonë nga Kina, puna e Pertefit ra, u duk që perëndoi koha e ngjyrosjes. Dhe të mendosh se ajo që bënte ai ishte një art më vete, sepse ngjyroste me bojë vaji. Futja e fotove me ngjyra i lehtësoi më shumë fotografët, sepse një pjesë të madhe të meritës e morën ngjyrat. Por gjithsesi mjeshtrit duken në foton bardhezi. Jo më kot edhe sot e kësaj dite kjo lloj fotografie është e lakmuar. 

Misset dhe deputët, foto artistike, apo foto dokument? 

Shpesh kundrimi i objekteve të bukura natyrore të dokumentuara në foto na bën të themi: Ja kjo është një foto artistike. Por në fakt ka një dallim mes fotos artistike dhe fotos tjetër, edhe kur ajo është bërë mbi të njëjtin objekt. Për shembull një miss, është një vajzë e bukur. Nëse ajo fotografohet thjesht drejtpërdrejt nga një person që disponon një aparat fotografik dhe nëse fotografohet nga një mjeshtër, sigurisht që do të kemi rezultate të ndryshme. Petrit Kumi pohon se me këto lloj fotografish, ku objekti është vetvetiu diçka e bukur, është duke u abuzuar mjaft kohët e fundit. Modelet, misset dhe mjaft kategori të tjera, fotografohen në mënyra të çuditshme dhe fotot e bëra serviren si foto artistike. Por nuk është foto artistike një foto ku gjithçka rregullohet me ca pozime, me ca lëvizje, ku nuk mund të shohesh asgjë më përtej se ajo që duket. 

Albes Fusha pohon se fotot e këtij tipi janë vetëm foto dokument. Ndërsa i pyetur për fotot e posterave elektoralë, Petrit Kumi pohon se në mjaft raste ai habitet nga mënyra se si janë realizuar aq keq disa foto. Në shumë raste kandidatët për deputetë u drejtohen studiove dhe kërkojnë të realizojnë posterat. Por shpesh asgjë nuk arrin të realizohet në funksion të komunikimit me publikun. 

Petrit Kumi: Fotografia nuk mësohet në shkollë 

Unë i qëndroj idesë se fotoja kronikale është ajo që i jep më shumë shanse kujtdo, për të arritur në fotot artistike të papërsëritshme 

Kam mbaruar liceun për pikturë. Më 1956 punoja si piktor reviste. Një fotograf, Sulejman Kelmendi, u bë shkak që unë të lija në plan të dytë pikturën dhe të jepesha pas fotografisë. Në vitin 1960 isha përfundimisht fotograf dhe punoja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Isha personi që fotografoi Hrushovin në vizitën e tij në Shqipëri. Ishte grupi i fotografëve Kallfa-Pici dhe Refik Veseli që e dokumentuan gjithashtu këtë vizitë. Një vit më vonë u largova nga agjencia dhe shkova në revistën “Ylli”, ku qëndrova deri në 1985. Që nga viti 1992 e deri tani punoj për vete. Është një biznes familjar, ku nuk janë punësuar vetëm persona të familjes. Megjithatë, nuk e lë pas dore interesin për foton artistike. Në ata mijëra filma që vijnë të lahen në Fotokumi, unë gjej mjaft fotografi që ndonjëherë ua kalojnë profesionistëve. Nuk do të jetë e largët dita kur do të kem gati një ekspozitë me klientët amatorë më të mirë. Për mua fotografia nuk mësohet në shkollë. Ajo është një lloj arti dhe si çdo art, ka talentin kryesor. Megjithatë, nëse flasim në pikëpamje teknike, mendoj se mund të mësohen mjaft gjëra. Por sot në Shqipëri nuk ka shkollë të mirëfilltë dhe për fat të keq, edhe konkursi i fotografisë, “Marubi”, nuk ka vlerën e një ballafaqimi të vërtetë dhe të një vendi ku konkurrojnë vërtet njerëzit që merren me artin e fotografisë. Unë i qëndroj idesë se fotoja kronikale është ajo që i jep më shumë shanse kujtdo, për të arritur në fotot artistike të papërsëritshme. Janë momente mjaft të vogla, ku një fotoreporter mund të arrijë të realizojë një foto artistike, nëse ai e ka instiktin e artistit. Personalisht mendoj se ATSH ka qenë një shkolle madhe e fotografisë. Gjithashtu mendoj se kjo agjenci disponon arkivin më të madh shqiptar të fotografisë. Padyshim ajo ishte epiendra e zhvillimit të fotografisë shqiptare pas luftës së dytë botërore. Mjaft nga mjeshtrat e fotografisë së asaj kohe nuk përfillen sot, por unë mendoj se ata kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme.

Albes Fusha: Shtypi përmirësoi shijet e publikut 

Mendoj se në kohën e monizmit fotografia anonte nga dokumentimi, ndërsa sot tenton nga arti, nga lirshmëria e krijimit artistik 

Ndoshta periudha e punës në shtyp ishte ajo që më bëri t'i hyja fotografisë. Por mendoj se kishte disa premisa që më drejtuan nga fotografia. Tradita familjare ishte njëra, formimi artistik ishte tjetra. Unë kam kryer Akademinë e Arteve për pikturë. Pas mbarimit të akademisë pata një periudhë qëndrimi në SHBA. Bashkë me dy miq të mi kishim shkuar atje për një ekspozitë pikture. Vendosëm ta zgjasnim kohën e qëndrimit. Ka qenë kjo periudhë kur mundëm të shihnim galeritë e Nju Jorkut dhe të perceptonim edhe fotografinë, midis të tjerash. Rikthimi im në vitin 1997 më pozicionoi si fotoreporter shtypi. Ishte thjesht një tendencë punësimi, e cila më tërhoqi gjithmonë e më shumë. Më pas më 1999 bëra një specializim në Austri dhe pas asaj kohe pata një ofertë për të punuar si pedagog në Akademinë e Arteve, ku punoj edhe tani. Vitet e fundit studimi i fotografisë në këtë akademi dhe në fakultetin e Gazetarisë po tenton drejt zgjerimit. Mundet që në të ardhemn, pse jo, të ketë një degë më vete për fotografinë në Akademinë e Arteve. Për sa i përket tendencës së fotografisë në kohë, mendoj se në kohën e monizmit fotografia anonte nga dokumentimi, ndërsa sot tenton nga arti, nga lirshmëria e krijimit artistik. Sot fotografët kanë mundësinë e komunikimit. Personalisht besoj që “Marubi” është një konkurs i vlefshëm, i hapur për debatin, për shkëmbimin e eksperiencave, është një kuvend i mirë i fotografisë shqiptare sot. Sigurisht, asgjë nuk është e përsosur, po tendenca është pozitive në këtë aktivitet.
Qoftë edhe duke mbyllur pak syrin për mangësitë që mund të ketë, “Marubi” është një konkurs që ka vlera të mëdha edhe në pikëpamje të dokumentimit. Në të marrin pjesë edhe shumë prej amatorëve të avancuar të fotografisë dokumentare. Mendoj se angazhimi më i madh me fotografinë në vitet e fundit e ka rritur edhe shijen e publikut. Kjo është bërë në mënyrë instiktive, thjesht nga ballafaqimi i përditshëm me cilësinë e fotografisë që vjen në rritje, sidomos në shtyp. 

Roland Tasho: Të dokumentosh tranzicionin 

Gjatë lëvizjeve demokratike, ishte pikërisht profesioni ai që më vuri në qendër të ngjarjeve mua dhe aparatin tim. Kam dokumentuar gjithçka 

Lidhja ime me fotografinë ka filluar në mënyrë të rastësishme. Ishte viti 1982. Isha shumë i ri, sapo kisha mbaruar ushtrinë. Kisha pasur një mundësi për të shkuar në shkollë oficerësh, por nuk shkova. Kështu që vendosa të hyja në punë. Në lagje, siç ishte organizimi i atëhershëm, kishte një zyrë për punën. Një nëpunëse atje më regjistroi emrin dhe sa herë që shkoja e pyesja më thoshte “Prit, e di që je i paduruar, por po mendoj për ty”. Një ditë, kur shkova ta pyesja më tha se më kishte gjetur një punë, fotograf. Ishte një vend i mirë pune, në fakt. Burri i tezes sime, Beqir Derhemi punonte kameraman askohe dhe ai më nxiti më shumë që të merresha me fotografinë. Fillimet kanë qenë si fillime të çdo zanati. Por me kohë fillova të mësoj mjaft gjëra përtej rutinës së punës së shërbimeve, siç ishte në fakt puna që bëja atëherë. Kjo zgjati nga viti 1982-1985. Ndërsa më 1986 punova në muzeun e Enver Hoxhës, piramida. Më 1987 fillova punë në revistën “Ylli”. Ishin lëvizje që më jepnin gjithnjë e më shumë eksperiencë. Puna në revistë vazhdoi deri nga fundi i 1991 dhe fillimi i 1992. Gjatë lëvizjeve demokratike, ishte pikërisht profesioni ai që më vuri në qendër të ngjarjeve mua dhe aparatin tim. Kam dokumentuar gjithçka. Në kohën kur fotografoja nuk e dija se ajo që po bëja do shndërrohej në një fat për mua. Kohë më vonë hapa një ekspozitë me fotot e fillimit të tranzicionit, me ikjet, lëvizjen studentore, revoltat, rrëzimin e bustit të diktatorit. Midis tyre kishte shumë foto artistike. Ekspozitën e panë disa italianë dhe interesimi i tyre më çoi në një tur në vendin fqinj. Kështu fillova të bëhesha i pranishëm në disa vende me këtë ekspozitë. Më pas gjithçka vazhdoi në këtë rrugë. Kam provuar përvoja të reja dhe jam i pavarur në punën time. Por nuk mund të them se fotografia shqiptare është në një hap me fotografinë botërore. Ne mund të shikojmë diçka, mund të lexojmë, por në përgjithësi as të rinjtë, as të vjetrit nuk ballafaqohen me botën. 


Spektër
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi