Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

Prend BUZHALA:  POETIKA E KUJTESËS DHE E DËSHMISË  (LIBRI I RAMIZ KELMENDIT PËR MARIJE SHLLAKUN) Empty Prend BUZHALA: POETIKA E KUJTESËS DHE E DËSHMISË (LIBRI I RAMIZ KELMENDIT PËR MARIJE SHLLAKUN)

1st March 2017, 13:46
Prend BUZHALA:
POETIKA E KUJTESËS DHE E DËSHMISË
(LIBRI I RAMIZ KELMENDIT PËR MARIJE SHLLAKUN: “Shqipëria e Marije Shllakut – Katër martirë shkodranë” (bashkë me Viktor Gashin), “Dukagjini”, Pejë, 1995. Dhe: “Shqipëria e Marije Shllakut – Katër martirë shkodranë”, bashkë me Viktor Gashin. Fejtoni Ramiz Kelmendi: AMAZONA SHQIPTARE MARIJE SHLLAKU, 16 vazhdime, “Zëri”, Prishtinë, 21 nëntor 2009 deri 10 dhjetor 2009)
Deri në vitet ’90, edhe në Kosovë është zhvilluar një betejë e egër kundër kujtesës së nacionalizmës shqiptare.: që ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, emrat e saj të rezistencës, sikundër është Lufta e Drenicës, apo emri i Marije Shllakut, të mos përmenden, të shtyhen e të shtypen në harresë sa më të madhe.
1. Një emër emblematik i idealeve shqiptare
Duke e pushkatuar Marijen, regjimi I kishte vënë në veprim, për gjysmë shekulli, edhe atentatet kundër kësaj kujtese. “Kujtesa na ka mbajtë gjallë si komb”, dëgjohet shpesh kjo thënie në popull, sepse shkollat mungonin, shkrim-lexim nuk kishte, kurse kënga dhe rrëfimi i historive, gojë më gojë, odë më odë, kullë më kullë, mbahej gjallë.
Dhe, papritmas, pas shembjes së ekzorcizmave shtetërorë, regjimeve totalitare, shpërthyen vullkanet e kësaj kujtese në trajta të shumta. Edhe në trajtë librash e kujtimesh të shkruara, dëshmish të gjalla e rrëfimesh të përcjella brez pas brezi.
Fryt i një kujtese e kërkimi të tillë të ringjalljes së historisë, është edhe monografia “Shqipëria e Marije Shllakut – Katër martirë shkodranë” (bashkë me Viktor Gashin) . Ndërkaq, Ramiz Kelmendi, kësaj figure, do t’i rikthehet edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, duke i botuar në vazhdime shkrimin për Marijen .
Libri hapet me një Hyrje, që shpall emrat e 27 të akuzuarve, anëtarë të organizatës NDSH (Nacionademokratike Shqiptare), në gjykimin e mbajtur në Prizren, për 13 ditë me radhë, prej 29 qershori 1946 e deri më 11 korrik 1946. katër të parët nga kjo listë: Marije Shllaku (24-vjeçare), Atë Bernard llupi, (60-vjeçar), Kolë parubi (41 vjeçar) dhe Gjergj martini (29 vjeçar), më 15 korrik 1946, u dënuan me vdekje dhe më 25 nëntor 1946 u pushkatuan në Prizren. Prandaj dhe libri botohet si homazh, si shprehen autorët “50 vjet i vonuar, i shkruar nga dy të bashkëgjykuar të tyre, për këta katër patriotë që dhanë jetën në altarin e Atdheut.” Në vazhdim jepen katër portretet e këtyre naconialistëve të pushkatuar shqiptarë. Për Marije Shllakun autorët shkëpusin dhjetë pika referimi; kush është Marije Shllaku, Marije Shllaku në hetime, Marija rrëfen, OZNA e Kosovës kundër një vajze, Marije Shllaku: “Shpjegime”, A është autentik rrëfimi i marrjes në dorëshkrim, e kështu deri te gjykimi i saj dhe, në fund, jepen opinionet e të tjerëve për Marije Shllakun.
Në kaq faqe arrihet për t’u dhënë i plotë portreti i luftëtares, me fakte e dëshmi edhe për tre dëshmorët tjerë të sipërpërmendur. Dihet se deri më tash janë botuar katër monografi për këtë shkodrane trime, pos këtyre dy autorëve, edhe Shefqet Kelmendi, Ibrahim Meta dhe Tomë Mrijaj. Për te kanë shkruar Dr.Sabrije Keçmezi- Basha, Dr. Jahja Drançolli, Jetish Kadishani, Klajd Kapinova, Drita Bakia- Gunga, Idriz Lamaj, Nue Oroshi, Azem Hajdini- Xani e dhjetëra autorë të tjerë. Janë mbajtur për të dhe akademi e sesione shkencore. Këto fakte dëshmojnë se ajo tashmë është shndërruar në figurë të ndërgjegjes sonë kombëtare, në figurë të kujtesës sonë që ka prodhuar historinë më të re të Kosovës e të shqiptarizmës përgjithësisht, por ajo është shndërruar edhe në emblemë të idealeve moderne për pavarësi e Shqipëri etnike, për liri e demokraci. Emri i saj u bë emblemë e këtyre idealeve shqiptare. E ka mbajtur gjallë kujtesën dhe rezistencën shqiptare për triumfin e këtyre ideve. Aq më shumë do theksuar faktin se ajo ishte femra e vetme në mes dhejtëra çetave patriotike në vitet 1944-1946. Ramiz Kelmendi kujton:
“Ditën e parë të nxjerrjes para gjyqit në Prizren, më 29 qershor 1946, me shumë plagë në trupin e saj të brishtë, e rrahur, e maltretuar dhe e torturuar si asnjë tjetër, e vënë në ballë të grupit të të 27 të akuzuarve si më kryesorja dhe më e rrezikshmja, ndonëse në atë grup kishte gati edhe tri herë më të moshuar se ajo, Marie Shllaku nuk ishte më shumë se 23 vjeç e tetë muaj” .
Shpalimi shkallë-shkallë i rrëfimit për Marijen, nga Ramiz Kelmendi, merr trajtën e një romani dramatik. Te e fundit, bërja e një libri të mirë ka dhe poetikën e vet. Poetikën e librit. Në këtë rast, shpalimi i një kujtese, po ashtu e ka dhe poetikën e saj, bukurinë e shpalosjes, cilësitë më të mira të shfletimit të kujtesës.
2. Të vërtetat e kujtesës janë të vërteta të zemrës
Ngjarjet e shtypura në ndërdije, shfaqen në gjithë krijimtarinë e Ramiz Kelmendit për më se gjysmë shekulli. Ndjehet kjo shtypje e kujtesë tek ankthi dhe psiko-përshkrimet e karaktereve, tek "ikja" në erotikë a në metamorfozimet kafkiane të personazheve, tek shpërthimi i saj revoltues e përndriçues në çaste e momente kohësh të liberalizmit... Kujtesa ka shtresën e saj nostalgjike, ka dhe përndritjet e saj të befta, prandaj ndodh dhe poetizimi i saj. Thuhet se “Të vërtetat e kujtesës, janë të vërteta të zemrës”. Shkrimi kund e kund merr dhe karakter autobiografik. Teksti dëshmues, teksti historik dhe ai autobiografik, ndërthuren me gërshetime intime të faktit dhe fiksionit:
“Ne pesëmbëdhjetëvjeçarët e asaj kohe ishim “mësuar” me pushkatime shqiptarësh pa gjyq, duke nisur nga vrasja e ditës së parë të “çlirimit” të Pejës, asaj pasdite të 17 nëntorit 1944, e duke vazhduar për çdo natë, me muaj të tërë, deri në gjyqin që u bë në Prizren. E shihje pejanin shqiptar ditën në rrugë, natën arrestohej, të nesërmen i humbte çdo gjurmë. “Tabjet” mbi Pejë kanë qenë mbushur plot me të vrarë.
“Marie Shllaku, tek e pashë atë ditë për herë të parë, i kishin vrarë gjithçka. Gjithçka, pos një gjëje. Madje pikërisht asaj që do ta kishin dëshiruar më së shumti: nuk ia kishin vrarë dot zemrën. Ia kishin thyer trupin, por nuk e kishin thyer dot shpirtin. Unë edhe sot nuk e shpjegoj nga i vinte ajo frymë, ku e gjente atë fuqi, si i dilnin ato fjalë, me ç’mund rropatej të mbahej e pamposhtur, krenare për gjithçka ka bërë dhe plot rrahagjoks edhe për gjithçka që po e priste.”
Kujtesa ringjallet në tekst; ndërsa dëshmitë dokumentare të së kaluarës shndërrohen në hipertekst, në komunikim të ndërmjetvetshëm tekstesh. Ricoeur konsideron se kujtesa e tillë, duke kërkuar idenitetin e vet të rrëfimit, shfaqet edhe si fragment i një perceptimi aktual në të kaluarën, dhe si rezultat i një procesi narrativ, që evoluon në kohën e tanishme, një proces i cili është i lidhur ngushtë me përpjekjet e individit për të krijuar kuptimin e ri në jetën e individit.
3. Teksti dhe te(k)stamenti i jetës
Ramiz Kelmendi e memorizon kujtesën e tij nëpërmes formave të ndryshme të shkrimit, e poetizon kund e kund me mjete poetike; e shndërron në arkiv të gjallë thesaresh memoriale të së bukurës, në Kujtesë të pashlyeshme të Artit për Jehonën e Amshueshme të këtyre ngjarjeve, në Të Madhërishmen e kësaj lufte e rezistence nëpër kohë. Pranëvënia e Dëshmisë, Dokumentit, Kujtesës, Rrëfimit, Përshkrimit, Poezisë, Luftës dhe Lirisë në raporte të ndërkomunikimit estetik dhe të funksionalizmit estetik, të provokon në disa rrafshe, sidomos në rrafshin e estetikës krahasimtare. E krijon TEKSTIN E JETËS. Edhe tekstin e jetës personale dhe kolektive:
“Më 15 korrik 1946 e pashë Marie Shllakun për herë të fundit.
Atë ditë iu shqiptua dënimi: me vdekje - pushkatim.
Bashkë me Marien u dënuan me vdekje edhe tre bashkëvendës të saj dhe, që të katërt, u pushkatuan më 25 nëntor të po atij viti në Prizren.
Atë ditë e sot nuk dihet varri i katër martirëve shkodranë: varri i studenteshës 23-vjeçe Marie Shllaku, varri i priftit 60-vjeçar Atë Bernard Llupi, varri i profesorit 41 vjeç Kolë Parubi dhe varri i mësuesit 29-vjeç Gjergj Martini.
Grupi të cilit i priu vajza Marie Shllaku pati intelektualë, pati bujq, pati të rinj, pati pleq, pati edhe gati fëmijë. Pati disa nxënës, ajo vetë ishte studente, dy-tre ishin mësues, të tjerët profesorë, nëpunës, klerikë, njëri ishte bukëpjekës, tre ishin bujq, pati dhe amvise.
Njëzet e katër meshkuj dhe tri vajza: Marie Shllaku, Gita Mjeda dhe Luçie Lekaj.
Njëzet e shtatë të akuzuar atë ditë u shpallën “fajtorë” dhe u dënuan:
Katër me vdekje: Marie Shllaku, Atë Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini;
Dy me nga 12 vjet burg: Marsel Vuçaj dhe Miftar Bala;
Katër me nga 5 vjet burg: Muhamed Vokshi, Frano Çiflaku, Jak Krasniqi dhe Sebë Kolaj;
Një me 3 vjet burg: Jusuf Haxhi - Ymeri;
Dy me nga 2 vjet burg: Isa Çavolli dhe Gjergj Deda:
Dy me nga 1vit burg: Viktor Gashi dhe Binak Dema dhe gjashtë me nga 1 vit burg, me kusht: Osman Basha, Skënder Rizaj, Engjëll Berisha, Shefqet Kelmendi, Ramiz Kelmendi dhe Kamber Pajaziti.
Të tjerët, për mungesë provash, u liruan: Masar Begolli, Hamza Begolli, Sebë Mateja, Jak Shahini, Gita Mjeda dhe Luçie Lekaj.”
Të duket sikur po lexon një sinopsis të filmit dramatik apo një poezi të tipit brehtian të tmerrit dhe krenarisë. Te e fundit, shumë shkrimtarë, si Tolstoj apo Gorki, si Hygo apo Dickens, kanë shkruar për vitet e tyre të fëmijërisë dhe rinisë, për jetën e tyre, me përjetime të bukura e të trishta. Këtë trishtim, këtë krenari e dhimbje të madhe shqiptare, arrin të na e bëjë pjesë të kujtesës sonë edhe ky libër.
(Prend Buzhala)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi