Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Admin
Admin
Administrator
Administrator
Regjistruar : 25/12/2007
Postime : 5043
Points : 2624
Reputacioni : 226
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.zeriyt.net/

Margarita Xhepa: jam optimiste e pandreqshme Empty Bisedë me aktoren e madhe shqiptare

10th January 2008, 23:41
Margarita Xhepa: jam optimiste e pandreqshme

Mirela Sula - Panorama

Margarita Xhepa, aktorja e sa e sa roleve që kanë përcjellë mesazhe të forta tek të gjithë teleshikueist shqiptarë vjen para lexuesit në një këndvështrim tjetër me këtë intervistë. Bota e saj e madhe si artiste, si nënë, si shoqe, kolege dhe si njeri human nënkuptohet lehtë përmes bisedës me të.

Sa vjeçe ndjehet zonja Margaritë?
-Kurrë nuk i kam thënë vetes - “më iku mosha”- sepse çdo moshë ka bukurinë e vet. E vërteta është se unë nuk ndjehem e moshuar, sepse dashuria për profesionin më mban të re, më jep energji dhe forcë, duke pritur gjithnjë me shpresën se do kem prapë mundësira për të luajtur sërish në të tjera role.

Ka ndryshuar gjë në marrëdhënien tënde me rolin, për shkak të moshës?
-Do thoja që po. Ka ndryshuar për mirë. Ndryshimi ndoshta është i madh sepse mosha të jep më shumë ekperiencë, dhe njeriu çdo ditë e bëhet më i mënçur. Duke fituar përvojë dhe duke lexuar unë pasurohem më shumë shpirtërisht, dhe e ndjej veten më mirë se asnjëherë të përgatitur.

Të qëllon ndonjëherë t’i thuash vetes “nuk kam arritur shumë në jetë”?
-Sigurisht. Njeriu nuk kënaqet asnjëherë në jetë, sidomos ai që ka kërkesa ndaj vetes, i çfarëdo profesioni qoftë, veçanërisht i fushës së artit. Lum ai që punon pa u lodhur për të arritur majat e artit, pasi arti është një nga gjërat më të bukura. Dhe kam lexuar diku ku thuhet “botën do ta rregullojë e bukura” .

Ku gjendet e bukura sipas teje?
-E bukura është kudo; në çdo veprim, në çdo marrëdhënie njerëzore. Botën nuk e ndryshon vetëm një pallat i ri me ngjyra, apo një lulishte me gjelbërim, por mbi të gjitha një shpirt i bukur që të depërtojë thellë në marrdhëniet midis njerëzve.

Mendon se bukuria ka luajtur një rol të madh në jetën tënde po aq sa talenti?
-Bukuria është një plus do të thoja, për çdo njeri në jetë. Aq më tepër për një artiste, por gjithsesi nuk është primare. Kryesor është talenti, vullneti, pasioni dhe përkushtimi që ke ndaj punës. Duke i patur këto do thoja se zbukurohet edhe portreti, dhe njeriu vetëvetiu duket më i bukur.

Këtë e thua pasi gjithnjë je listuar ndër gratë më të bukura? Po të kishte qenë ndryshe…?
- Jo aspak. Mendoj se ka patur edhe më të bukura se unë. Nuk kam pritur që bukuria ime të më shtojë pikë në rol, por kam bërë një punë shumë të madhe që rolin ta marr me një përgjegjësi të jashtzakonshme. Pra, mendoj se bukuria është diçka që kërkon të jetë e kompletuar.

Me sa duket karriera ka qenë pjesa më e rëndësishme e qëllimeve të tua në jetë?
-Ndoshta po. Ajo më zbukuroi portretin, por edhe shpirtin, më mbushi jetën, ma pasuroi atë. Këtë mundësi ma ka dhënë profesioni im, ndaj do ta dua sa të jem gjallë dhe do ta kem parësor në jetë. Unë edhe tani vazhdoj të mendoj sikur jam gjithjë në pritje të një roli… Edhe nëse nuk ka rol për mua, unë vazhdoj të mendoj sikur po pres të luaj diçka. Sepse kështu ndjehem edhe më e bukur….

Është një teori që thotë “jo çdo gjë e bukur është edhe e mirë”-beson në të?
-Ka edhe raste të tilla. Por unë nuk i besoj plotësisht, pasi gjëja e bukur është e bukur dhe e mirë njëkohësisht. Ndoshta i mungon diçka, por prapë mendoj se ka diçka pozitive në atë bukuri. Nuk mund të thuash apriori “jo çdo gjë e bukur është e mirë”, nuk besoj të jetë e vertetë-gjithmonë ka diçka të mirë tek e bukura. Por vetë e bukura gjendet tek e mira.

“Vetmia më shijon”

Nga këto që thua kuptoj se je një person gjithnjë në aktivitet dhe punon në mënyrë intensive?
-Falë shëndetit të mirë që kam, apo edhe natyrës sime ndjehem akoma me shumë forcë dhe besim në vetëvete. Aktualisht po punoj me një monodramë dhe ndjehem shumë e mbushur. Puna edhe në këtë moshë më jep gjallëri, forcë dhe ripërtëritje.

Duket që je natyrë optimiste në përgjithësi?
-Në të vërtetë jam shumë.

Nga të buron e gjithë kjo?
-Përpiqem që çdo gjë që më ndodh në jetë, qoftë edhe fatekqësi, mërzitje apo brenga, t’i kaloj pa më lënë gjurmë, sepse është detyra e njeriut që të përballet me to. Njeriu jo vetëm tek vetja por edhe tek të tjerët duhet të depërtojë optimizmin, sepse i duhet të shpresojë pa fund. Dhe unë gjithmonë jetoj me këtë, edhe kur më ndodh të ndeshem me ndonjë padrejtësi, kur njerëzit mbajnë ndonjë qëndrim të egër ndaj meje, prapë i them vetes: “kaloje” se për vete e kanë.

Po kur të ndodh të ndeshesh me gjëra të pakëndshme në jetë si i përjeton?
-Nuk më ndikojnë fare. I kaloj pa u ndjerë.

Si arrin t’ia dalësh mbanë?
-Është edhe në natyrën time si njeri, por edhe arti në vetëvete më ka fisnikëruar shpirtin, më ka dhënë hapësirë, dhe artisti e do hapësirën… Gjithmonë kam qenë subjektive karshi vetes, dhe njeriu duhet të jetë i tillë besoj. Edhe kur më bëhen kritika, i marr më të mirën kur është e vërtetë, ndërsa kur s’është e tillë, e kaloj pa e përfillur.

Po fakti që jeton vetëm të tremb? Si i keni marrëdhëniet me vetminë?
-Unë vetminë e kam dashur gjithmonë. Shumë e çuditshme. Më kujtohet kur kam qenë e vogël unë nuk studioja në dhomë si motrat e mia, por dilja mbrapa shtëpisë ku kishim një makaze e cila kishte fletët si një çadër dhe e shijoja shumë vetminë. Edhe më vonë gjithnjë kërkoja të gjeja sa më shumë çaste vetmie që të mund të punoja e qetë për rolin.

Pra vetmia të shijon edhe tani?
-Në të vërtetë po. Por, më pëlqen edhe kur jam mes njerëzve, dal e kaloj kohë edhe mes tyre, por që mund të rri pak. Më shumë prirem të rri me vetëveten sesa mes njerëzve, në fakt. Njeriu i duhet njeriut, është e vërtetë kjo, kështu pasurohesh më shumë por vetmia ka një tjetër rol, sepse unë mendoj se edhe kur je vetëm nuk është tamam vetmi- njeriu nuk është vetëm, as kur është vetëm. Kështu më ndodh edhe mua: kur jam vetëm, jam me mendimet e mia, me kujtimet e mia, me nostalgjinë time, me perspektivën, me shpresën dhe me të ardhmen. Pra i bie që asnjeherë të mos jem vetëm.
“Bëhem psikologe
për të tjerët”

Kur dikush të lëndon si reagon?
-Nuk jam agresive. Lë të kuptohet me një përgjigje racionale, dhe më pas jam natyrë që largohem.

Nervozohesh ndonjeherë?
-Po, ka raste që edhe nervozohem. Por kjo ndodh brenda edukatës dhe natyrës sime. Na ka mësuar im atë që njeriu edhe kur të zihet nuk duhet t’a ofendojë tjetrin.

Po me shoqet apo kolegët të qëllon të hapesh për problemet e tua? Cilat janë pakënaqësitë e moshës suaj duke qenë artiste?
-Mosha jonë na ka dhënë një gjërësi të jashtzakonshme jo vetëm në marrdhënie me njerëzit, por edhe me punën, apo gjëra të paprtitura në jetë. Jemi ndeshur edhe me të surpriza të pakëndshme, por lum kush është brenda kuadrit njerëzor që çdo gjë të pritet me bukuri dhe gjerësi, pa vuajtje të mëdha shpirtërore, sepse duhet të mendojmë më gjatë: duhet hapur rruga “sot je ti-nesër jam unë”, e me radhë.

Kuptoj se ka shumë dashuri benda teje? Si e mban gjithë këtë?
-E mbaj, më tepër në këtë moshë. Më ndodh shpesh të pres njerëz këtu, në shtëpinë time. Vijnë me një lot në sy dhe gjithnjë përpiqem t’i ndihmoj sepse kam dhembshuri për njeriun. Ndaj njeriun, atë me shpirt të vuajtur, nuk e lë të dalë me lot nga shtëpia ime, por përpiqem me gjithë dashurinë time që ta ndihmoj dhe ta bëj të ikë me një buzëqeshje duke i dhënë kurajo. Kështu më duket sikur jo vetëm kam qetësuar ato por edhe veten. Pra, marr pjesë në hallin e tjetrit, por nuk i marr me shumë dramë gjërat, e këtë arrij t’ua përcjell edhe të tjerëve duke i inkurajuar të besojnë në shpresa, dhe të jenë optimistë.

Pra ti luan në një farë mënyre edhe rolin e psikologes me këta njerëz?
-Po. Pa e ditur se c’është. Unë nuk kam studiuar psikologji por të gjitha këto degë kanë dalë nga qënia njerëzore, nga përvoja dhe nevoja humane.

Dukesh një optimiste e pandreqshme?
-Po jam e pandreqshme në këtë pikë.

Dhe nuk të tremb asgjë?
-Jo. Asgjë. As vetë vdjekja nuk më tremb. Nuk kam frikë nga asgjë. Nodhi-ndodhi. Njeriu duhet të bëjë kujdes sepse ka edhe njerëz të pandërgjegjshëm në këtë botë, që mund të të bëjnë keq. Por unë përpiqem që të mos i jam mundësi tjetrit të më bëjë keq. Sa kohë nuk i bëj keq askujt nuk kam frikë. Unë dua veç t’i ndihmoj të tjerët dhe më vjen kaq keq që s’kam gjë në dorë, që të kem një mundësi të tillë. Sa herë them me vete, por edhe të tjerëve, - si nuk kam një post të rëndësishëm t’u bëj ndere hallexhinjve, pa prishur interesin e askujt, por veç t’ua heq dhimbjen.

Analiza e intervistës

Eshtë një grua e fortë dhe e ndjeshme njëkohësisht, që e do të bukurën, i do njerëzit, por mbi të gjitha dashuron fort artin, profesionin e saj si aktore. Ndaj nuk heziton aspak kur e pyet… për të treguar se “sa të jem gjallë profesionin do ta kem parësor në jetë”. Ky pasion i madh për artin duket se ia ka pasuruar akoma edhe më shumë shpirtin. Kështu, duke jetuar me të tilla ndjesi ajo nuk i trembet asgjëje “as vetë vdekjes”. Ja pse nuk e shqetëson vetmia, përkundrazi duket se e shijon atë dhe ndjen shpesh nevojë të jetë vetëm me veten, të meditojë e të jetojë me kujtimet e së shkuarës. Megjithatë kjo gjë nuk e pengon aspak të kalojë kohë edhe mes njerëzve. Ata vetë shkojnë dhe e gjejnë atë, në apartamentin e saj ku ajo jeton me një “optimizëm të pandreqshëm” dhe me një dëshirë të madhe për të ndihmuar të tjerët, pse jo për të luajtur shpesh edhe rolin e psikologes me ta.

“Jam nënë e butë”

Marrëdhëniet me djemtë janë të afërta apo në distancë?
Normale…

Ke qenë ndopak me ashpër me ta?
Jo aspak. Që në vogëli i kam lënë e lirë, në botën e tyre, me lodrat e veta, e më vonë edhe në marrëdhëniet që kanë krijuar. Kjo ka ardhur në mënyrë graduale, me edukim dhe jo me imponim. Këtë ia dedikoj tim shoqi, Xhavit Xhepa, në rradhë të parë, pasi ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, në një kohë që unë ndoshta kam patur ndonjë moment që kam harruar edhe veten.

Pra ti ke qenë një nënë e butë?
Shumë. Dhe kjo ka ndodhur ndoshta sepse mua më ka munguar nëna. Më ka vdekur kur isha nëntë vjeçe. Ajo ëndërr në sytë e mi ka mbetur zemër brenda zemrës sime. Kur ke nënë ndjehesh plot, e kur s’e ke, ke veç varfëri shpirtërore. Jam munduar në këtë drejtim që atyre të mos u mungojë asgjë. Kam qenë tepër e butë, tolerante, ndoshta ndonjëherë më tepër se sa duhet. Gruaja mendoj se ka gjithnjë rol shumë të rëndësishëm në familje, jo vetëm si nënë dhe bashkëshorte, por që të sjellë gëzim dhe atmosferë paqeje, qoftë edhe kur vjen një vizitor që t’a presë me buzëqeshje.

Je e kënaqur me arritjet e fëmijëve të tu?
-Tepër e kënaqur dhe e lumtur.

Po ata si ta shprehin dashurinë?
-Nëna e ndjen këtë, edhe pa fjalë. Dhe unë e kam ndjerë dashurinë e tyre të shprehur në të gjitha mënyrat.

Bisedoni bashkë për gjërat tuaja?
-Gjithmonë e bëj këtë, jo vetëm si nënë por edhe nga profesioni që kam prirem gjitmonë të mësoj nga i riu sepse ka çfarë të mësosh nga të rinjtë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi