Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nesër Shqipëria pret ftesën për në NATO Empty Nesër Shqipëria pret ftesën për në NATO

2nd April 2008, 20:41
02.04.2008
Në një intervistë ekskluzive me gazetaren e Radio Kosovës, Hyrë Tejeci, ministri Basha tha se ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është një mesazh i qartë edhe për rajonin,...

Ftesën për anëtarësim në NATO Shqipëria e ka vlerësuar si ngjarje më të rëndësishme historike të saj dhe ka dërguar në Bukuresht nivelin më të lartë shtetëror: presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe shefin e diplomacisë Lulëzim Basha. Ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është një mesazh i qartë edhe për rajonin, tha ministri Basha në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, duke theksuar edhe qëndrimin shumë të rëndësishëm të NATO-s për Kosovën.
Në një intervistë ekskluzive me gazetaren e Radio Kosovës, Hyrë Tejeci, ministri Basha tha se ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është një mesazh i qartë edhe për rajonin, duke theksuar edhe qëndrimin shumë të rëndësishëm të NATO-s për Kosovën. Por, fillimisht ai flet për takimet që udhëheqësit më të lartë të Shqipërisë po zhvillojnë me krerë të shteteve dhe të qeverive të vendeve pjesëmarrëse në samitin e NATO-s.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nesër Shqipëria pret ftesën për në NATO Empty Re: Nesër Shqipëria pret ftesën për në NATO

2nd April 2008, 20:42
Intervista e plotë



Radio Kosova: Z. Ministër çfarë takime po zhvilloni në margjina të samitit të Aleancës ?

Lulzim Basha : Këtu është i pranishëm një numër i madh i personaliteteve të politikës botërore, personalitete të vendeve anëtare të NATO-s, të vendeve të tjera të shoqëruara me NATO-n dhe të disa organizatave, të cilat kanë organizuar forume të ndryshme, në qendër të të cilave ndodhen çështje të rëndësishme të politikës ndërkombëtare, pa dyshim edhe çështje të politikës rajonale dhe çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kosovën. Kjo na ka dhënë mundësinë të angazhohemi në nivel dypalësh dhe në nivel shumëpalësh në këto aktivitete për të bërë të njohur qëndrimin tonë, si dhe për të njohur aleatët, miqtë dhe vende të tjera me këtë qëndrim dhe për të mësuar për qëndrimet e tyre për çështje të ndryshme të sigurisë, të politikës ndërkombëtare, të politikës rajonale. Pra është një mundësi shumë e madhe në këtë periudhë të shkurtër kohe. Në qytetin e Bukureshtit ndodhen të gjithë faktorët kryesorë të politikës ndërkombëtare dhe ne po bëjmë maksimumin për ta shfrytëzuar këtë mundësi për agjendën tonë diplomatike.


Radio Kosova : A po vëreni se ftesa për anëtarësim të Shqipërisë në NATO është gjithnjë me reale ?


Lulzim Basha : Unë mund t’ju them se jemi në një moment ku duket se ka gravituar, në një moment të favorshëm për Shqipërinë. Duket se të gjitha vendet anëtare favorizojnë ftesën për Shqipërinë. Nuk ka pasur shprehje rezervash apo problemesh në këtë drejtim dhe ajo që presim është një konfirmim zyrtar, i cili sigurisht do të bëhet nga autoritetet që kanë të drejtën ta bëjnë këtë konfirmim, kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare. Ka një agjendë të caktuar tashmë dhe ne presim që nesër rreth mesditës të kemi një përgjigje formale sa i përket ngjarjes historike, për të cilën është përgatitur shpirtërisht çdo shqiptar-ftesën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e NATO-s.


Radio Kosova: Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë ?!


Lulzim Basha: Pa dyshim. Nga pikëpamja politike për Shqipërinë është ngjarja më e rëndësishme që nga fillimi i demokracisë, pluralizmi politik, por do të thosha që nga pikëpamja e sigurisë kombëtare është ngjarja më e rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë.


Radio Kosova : Çfarë do të reflektojë për rajonin anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ?


Lulzim Basha : Në radhë të parë pa dyshim rajoni bëhet më i sigurt. Ndërkohë që dy apo tre vendet e rajonit marrin ftesën për t’u anëtarësuar në NATO. Së dyti për interesat tona shtetërore dhe kombëtare do të thotë se politika konstruktive e sigurisë dhe e jashtme që Shqipëria ka ndjekur veçanërisht në rrafshin rajonal, njihet si politikë e drejtë, përkrahet si e tillë dhe jepet një sinjal i qartë për të gjithë fqinjët dhe vendet e rajonit se kjo është e vetmja rrugë ndaj të cilës vendet e aleancës, shumica e të cilave janë edhe vende të BE-së, tregojnë mirëkuptim dhe demonstrojnë gatishmëri për bashkëpunuar që hapë eventualisht dyert për një bashkim të vendeve të rajonit, qoftë me aleancën e atlantikut të veriut, qoftë me Bashkimin Evropian. Është një mesazh i qartë për të gjitha vendet e tjera, duke përfshirë këtu sigurisht edhe Serbinë. Ndërsa në një kuptim afatgjatë është një angazhim madhor i Shqipërisë, i forcave të saj të armatosura, por edhe i gjithë strukturave të Shqipërisë, të politikës së jashtme për të kontribuar në një rajon më të qetë, më të sigurt, në një rajon që ecën me siguri drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, ku sigurisht Shqipëria krah për krah vendeve tjera fqinjë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë, por edhe Serbisë, rrugëtojnë drejt një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e këtyre vendeve dhe një ardhme, e cila pa dyshim do t’i shohë këto vende anëtarë të BE –së dhe të komunitetit euroatlantik. Mesazhi është i qartë. Në qoftë se një vend i kryen detyrat, reformat që i parashtrohen, rruga është e hapur për t’u bërë pjesë e këtyre strukturave me gjithë benifitet që kjo sjell në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në pozicionin ndërkombëtar të atij vendi.


Radio Kosova : Në çfarë shkalle kenë arritur reformat rreth çështjeve të sigurisë ?


Lulzim Basha: Reformat e sigurisë kanë qenë reformat më të vlerësuara nga aleanca. Transformimi i një ushtrie të stilit sovjetik, mbi 360 mijë efektivë të shpërndarë në mbi 6 mijë pika zjarri, në një ushtri profesioniste prej 16 mijë ushtarësh, e cila në vitin 2010 do të jetë një ushtri tërësisht profesioniste, pra 100 % e përbërë nga profesionistë. Do të jetë në gjendje të veprojë dhe të ndërveprojë me forcat e NATO-s në ambiente të ndryshme, nga Bosnja në Afganistan, nga Afrika në Irak, është në gjendje të komunikojë dhe të ndërtojë platforma të përbashkëta veprimi politik dhe ushtarak në dobi të aleancës dhe në përballje të të gjithë sfidave, qofshin ato të natyrës paqëruajtëse apo paqëmbajtëse, apo të natyrës terroriste. Kjo padyshim është një arritje e madhe e Shqipërisë. Është një arritje e madhe e gjithë institucioneve shqiptare, por sigurisht është vetëm një aspekt.

Reformat e rëndësishme për t’u bërë anëtar i Aleancës duhet të ndërmerren në të gjitha fushat, në veçanti në fushën politike dhe në fushën ekonomike dhe në këtë rrafsh aleanca ka vlerësuar me nota shumë të larta progresin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformat liberalizuese ekonomike, të cilat kanë rritur potencialin, kredibilitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, jo vetëm si një faktor paqeje dhe stabiliteti, si një promotor i stabilitetit në Evropën Juglindore, por edhe si një vend, i cili plotëson kriteret kryesore të aleancës dhe këto nuk janë kritere ushtarake, por janë kritere politike: Demokraci funksionuese, respektim të të drejtave të njeriut, një ekonomi tregu funksionale dhe një shtet ligjor.


Radio Kosova : Kosova është një ndër çështjet që do të diskutohet gjatë samitit. Çfarë vendi do të zë Kosova në samit, apo edhe në diskutime të veçanta që po zhvilloni në Bukuresht ?


Lulzim Basha : Kosova, sigurisht, është një çështje shumë e rëndësishme për NATO-n. NATO vazhdon të mbajë një prezencë të lartë në Kosovë prej afër 16 mijë trupash. Në kuadër të zbatimit të planit të Ahtisaarit NATO ka një rol shumë të veçantë dhe në këtë kuadër kontributi i NATO-s nuk është vetëm ushtarak, por është edhe politik. Për këtë arsye, gjatë samitit, ashtu si edhe para samitit, Kosova do të vazhdojë të ketë një vend të rëndësishëm.

Mbështetja për Kosovën në çdo rrafsh është nënvizuar në takimet që i kanë paraprirë këtij samiti dhe unë pres që do të nënvizohet edhe gjatë samitit. Përkushtimi i aleatëve i shprehur tashmë me prezencën e tyre ushtarake në Kosovë do të rikonfirmohet edhe një herë.
Ndërkohë presim që në rrafshin politik të bëhet krejtësisht e qartë se Kosova, si një shtet i pavarur, demokratik, me respekt të plotë për të gjithë qytetarët, pavarësisht prej përkatësisë së tyre etnike dhe në kufijtë e saj, është një garanci për paqën dhe stabilitetin në rajon dhe se çdo përpjekje për të ndërhyrë në këtë realitet është e patolerueshme për Aleancën.


Hyrë Tejeci – Radio Kosova
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi