Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

   FOTO MALO          "PLURALISTËT "          - Poemë satirike - Empty FOTO MALO "PLURALISTËT " - Poemë satirike -

29th October 2020, 21:24
NGA KRIJIMTARIA PËR KONKURSIN LETRAR DHE ARTISTIK
PËR NDER TË 45 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË ATDHEUT
- REVISTA “HOSTENI”, tetor 1989 -

FOTO MALO
PLURALISTËT
- Poemë satirike -
*
Latinçja, që i qofshim falë,
na la si amanet një fjalë,
La “pluralizmin” kuptimplotë,
Që “shumësi” në shqip do të thotë.

Pra, shumë mendje dhe ide
dhe shumë qejfe dhe mide.
Nën një kapele shtatë kokë,
një kokë shtatë kapele tok.

Kush pluralizmin ka flamur,
nuk pyet më për kufi e mur.
Me kushtetutë ke të drejtë
Në strofkë të ujkut të hysh krejt.

*
Fushatë e zgjedhjeve afron
(alias i thonë luftë për fron).

Ti del dhe vë kandidaturë,
Po unë të bëj karrikaturë.
Fushatë zgjedhjesh është, ndaj
e kam detyrë të të shaj.

Ndonëse tërbuar je si qen,
Ti më buzëqesh si xhentëlmen.
Dhe unë sharjen tënde “bajgë”
Filloj e komentoj si lajkë.

Kështu në sallë, në tribunë,
I hapim njëri – tjetrit punë.

Pra, shaj i dashur, siç të shaj,
pa rregullohemi pastaj.

E ç’rrëzoj unë, ngreje ti
E mbi ç’ngre ti, unë shkrepti…
*
Me fantazi, humor në gji,
qendisa një nekrologji;
“Ish kandidat për sadrazem,
Na la shëndenë befas mbrëmë!”

Organizoj dhe procesion
që një peshkop e kryeson.
Në arkivol “i ndjeri” rri
dhe shkon gjithçka për bukuri.

Kështu përpiqem, pra, bëj çmos
që kundërshtarin ta varros.

Tek- tuk vendoset ndonjë minë,
që sikur prish ca poezinë.
Sepse rivalit ndonjëherë
i fluturojnë trutë në erë.

Po ne, një pozicion e pozë;
dy kundërshtarë dinjitozë!
*
Kjo ndeshje dhe në parlament,
në opozitë, nuk do mend.

Qëllova unë, gjegjesh ti;
Pra, unitet në kundërshti.
Qëllove ti, kam radhën vetë;
pra, kundërshti në unitet.

Fillo, koleg, qëllomë, pra;
ftilloje qimen, bëje tra.
Sajo çdo kundërargument,
debati veç mos rrijë në vend.

Bash si një ring e në tapet,
veçse kujdes mos më shkapet.

“Ari i zi”, “ari i murrmë”,
gjer filli humb e humb çdo gjurmë.
Kopili sa të dalë në shesh,
të dy ne ngopemi përshesh.

Pa polemikën fjalëthartë
Vdes Dhomë e Ulët, ngordh Dhoma e Lartë.
Lezet ka dhe ndonjë skandal,
sepse zemreku ndryshe ndal.

Por, natyrisht, jo si dikur
që kacafytej burrë me burrë
e shkulnin flokët porsi gratë,
kërciste kokës dhogë e thatë.

Dhe tash, ja, në gatishmëri
makina e urgjencës rri…
*
Përpara zotit president
shpejt qeveri e re zë vend.

“Djathtas ndero, partitë! Oll rajt!”
(Për variacion, dhe një i majtë).

Eurokomunist, lëviz,
së kuqes ngjyrë vëri vizë!
Me flamurin e verdhë, yrysh,
në bukë të qeverisë të hysh!
Ke pjesë që kur bëre benë
të militosh në Borgjo- benë.

Shkëlqe , pra, në oratori:
“revolucion” në teori!
*
Ministër jam dhe e kam hak,
Por detyrime kam jo pak.
S’do ta shijoja këtë nder,
Sikur mos qe një miliarder.
Nuk do të mbetesha në listë,
Mos ishin dy industrialistë.

Ministër jam , jo lapanjos,
se lidha besën me një bos.
Se, ndryshe, s’hyja në fushatë,
Nuk haja dot asnjë kafshatë.

Ndaj, kundërshtar, të më kuptosh,
ai dhe tash më flak në kosh;
Po e harrova sadopak,
kravata shpejt më bëhet lak.

Ç’kërkon, padroni im, e di:
një spekullim me leverdi.
Kërkon për armët treg të ri,
Fuqinë unë ia përtëri.

Pra, qofsha edhe kryetar,
Jetoj me qafën në kular.

Po turivarur, ti mos rri,
se vijnë zgjedhjet përsëri,
Ndërrim i kuajve afron,
fushata shanse të ofron.

Fitova unë? Vetëm fol,
Të jap dhe ty një portofol.
Të jap dhe një e dy e tre
në qeverinë më të re.

Fitove ti? Pa shumë fjalë
Nja dy- tre portofolë më fal.

Kështu vërtitemi, o mik,
në karuselin politik.
Lëshojmë pe, po frerët kurrë.
Ju? Tundini ata flamurë…
*
Mos vallë na prish kjo “shumë”?
Asgjë, se janë nga një brumë.
Pra, kryesorja, gjithsesi,
ky pluralizëm, shumësi.

“Veç një parti? Ec merre vesh:
Lakrat e kujt do nxjerrë në shesh!
Monotonia më bën derr.
Inatin s’kam se kujt t’ia nxjerr…”

Kur e dëgjoj, ndjej neveri:
tre muaj me një qeveri!

Ç’bëni , zotërinj, politikanë,
pse rrihni ujë në havanë?!
Botoni shpejt këtë vrojtim:
Gjashtë muaj vendi pa votim!

Mirëpo dhe zgjedhësit (ç’telash!)
e kanë më qejf të shkojnë në plazh.

Të marrë fund kjo apati,
të mblidhen prapë shtatë parti,
Të nisë festa me fanfarë,
të bëhen lodra farë- farë.
*
“O missis Kompromis, buzëqesh;
larto ti një ylber mes nesh,
Po kacafytemi beter
(si perëndi në re një herë).

Po ti ke naze, s’ begenis,
ndaj nis qeveritarja krizë,
(që ne e presim me dëshirë),
të qeverisim sa më mirë…”.

E nëpër rryma, dallgë, valë,
Kaikja shteg kërkon të dalë.
Këtë kaike pa timon
veç pluralizmi e shpëton,
Mirëkuptimi në moçal
Demo – socialo - liberal
Dhe manovrimi mjeshtëror
Demo-social - konservator.

Pra, ekuilibri ideal
djathto-majtist tradicional.
Origjinali mozaik
republikano-monarkik!
*
Evropa plakë mirë e di:
Plu-hu-ralizmi bën çudi.

Demokratik një goxha shtet,
por një mengjes kërkoka mbret.

Në borxhe mbytur si në lumë,
tjetri kërkon moratorium.

Pra, kushtetuta jep të drejtë
në strofkë të ujkut të hysh krejt.
Liri të plotë ke si vend
të mprehësh ujkun në parmendë.
Ujkun me ka e dele tok,
liri me saç, kërbaç në kokë.

Po prapë në stan debati vlon,
Sikur po ecin me avion.

Arena plot toreadorë.
kujdes nga demat, spektatorë!

Gjithçka e qartë: Botë e lirë,
demokraci me shumë brirë!


*
Poema “ PLURALISTËT”
Poemë satirike e poetit, studiuesit, shkrimtarit FOTO MALO, është vlerësuar me çmim të parë në konkursin kombëtar letrar artistik, në nëntor 1989, por autori nuk e botoi në libër, sepse shkoi me arsyetimin se nuk donte të shkonte kundër “rrymës”…
Thelbi dhe substrati i poemës:
Kritika paraprake ndaj fenomeneve negative që shoqërojne tranzicionin.
Kjo është një meritë e padiskutueshme e njohjes së gjendjes dhe e precipitimit të mëtejshëm të saj. Këtë mund ta bënte vetëm një mendje e zgjuar. Në të flitet për pluralizmin politik, para se te hidhej për diskutim në shoqërinë shqiptare.
Kjo poemë duhet të njihet mirë nga lexuesit dhe të kihet parasysh, kur është shkruar …
Duhet të hyjë në fondin e Letërsisë shqipe në fillesën e plurimendimit dhe të zanafiillës së letërsisë ndryshe.
Shfaqja e kësaj poeme është një kontribut i nevojshëm, i cili duhet të tërheqë vemendjen…
Kristaq F. Shabani, shkrimtar, poet, studiues, estet

Dhjetor 2018
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi